Njofti për shtyp

Skanderbeg books do të botojë ekskluzivisht Orhan Pamuk, Çmimi Nobel 2006 në Letërsi

Unë jam e kuqja
Një grup i zgjedhur miniaturistësh të oborrit të Sulltan Muratit III, janë ngarkuar të përgatisin librin që i plotpushtetshmi i Lindjes do t'ia bëjë dhuratë një të plotpushtetshmi në Perëndim. Libri duhet të shprehë fuqinë e perandorisë dhe forcën e miniaturës orientale për ta dhënë atë. Gjithçka është diskrete, por në punën e drejtuar nga Enishte Efendi ka diçka ndryshe nga e zakonshmja e miniaturës së asaj kohe, ajo po kërkon të ndryshojë, të marrë detaje të reja të panjohura dhe t'u përqaset elementeve perëndimorë të pikturimit, veçanërisht të Rilindjes italiane. Të dyja format e artit janë të arrira, të dyja kahet janë perfekte. Çfarë do të zgjedhin palët? Presioni, edhe fshehur, duket i madh. Është koha e një fondamentalizmi të dhunshëm. Fillon saga e kundërshtisë së heshtur, miniaturistët vriten njëri pas tjetrin dhe të tjerët pas tyre janë të kërcënuar. Simbolet e mbajnë dramën gjer në fund, bashkë me një linjë dashurie të Zezit dhe Shekures, personazhit më fin të romanit, që mban peshën e saj në bartjen e këtyre simbloleve. Unë jam e kuqja është një mister vrasjeje, por edhe një meditim për dashurinë dhe dovotshmërinë artistike. Organ Pamuk nuk mban anë kur shkruan nën presionin e të dyja anëve, por mban qëndrim. Zërat dhe kundërzërat e njerëzve dhe simboleve në këtë roman ikin dhe rikthehen vazhdimisht në kompleksitetin e tyre, për të provuar stilin dhe forcën e një shkrimtari si Orhan Pamuk.

Përplasja e kulturave nw Turqi wshtw çwshtje e ditws. Ai nuk zgjedh njwrwn apo tjetrwn palw tw favporizojw por pwrplasejn w tyre. Çfarw e bwn lwtwrsinw e tw mwdhe wshtw se ai nuk zgjhedh pwr njw anw, por merr pozicion. Nw letwrsi kur ai shkruan pwr kwtw mw njw stil tw mrekullueshwm. Stili wshtw njw mori instrumentash pa fund nuancash, ndryshime poerspektivash, zgjedhje fine e gjuhws dhe kombinime fjalwsh, pa u bwrw I lodhur, mw shumw e mw shumw, duke zjellw e risjellw zwra. Kwto mjete e bwjnw atw tw japw kompleksin e jetwes.
Vepra e tij wshtw njw demonstrimi vazhdueshwm se letwrsiua mund tw jetw njwkohwsisht, interesante, argwtuese dhe rendwsishme.

ALDA BARDHYLI
Gazeta SHQIP

Drita Çetaku, përkthyesja nga turqishtja e romanit "Unë jam e kuqja" e Orhan Pamuk zbardh disa nga detajet e këtij përkthimi

Një zonjë, zbardh intimitetet e një nobelisti

Në Stambollin e shekullit të 16-të, disa miniaturistë punojnë në atelienë e një sulltani. Papritur një prej minaturistëve vritet, dhe një mori ngjarjesh trazojnë jetën e këtyre njerëzve që mundojnë të bëjnë art sallonesh ashtu siç ishte moda e asaj kohe. Vetë Orhan Pamuk nuk e ka shpjeguar përse i ka vendosur ngjarjet shekuj më parë dhe pse kërkon të analizojë jetën e miniaturistëve këtij arti kaq pak të njohur në ditët e sotme. Një roman që zbërthen një nga temat më të diskutuara sot në botë, atë të dy kulturave lindjes dhe perëndimit, por jo me gjuhën e filozofisë, shkencës apo politikës, por në gjuhën e bukur të artit, ajo gjuhë që e thotë aq thjeshtë gjithë atë mundim që mund ti hajë studiuesve kjo temë delikate."Unë jam e kuqja" një roman sa simbolik aq edhe i thellë prek temën më të ndjeshme sot në botë, atë të dy kulturave që edhe pse kanë një bagazh të rëndësishëm historik sërish janë të përfshira në debatet se cila dominon mbi tjetrën. Për të shuar të gjithë debatet që mund të lindnin pas botimit të këtij romani jo vetëm artistik, por dhe një prerje e bukur e një prej problemeve më bashkohorë të kohës, Pamuk shkruan në hyrje të librit se :" Lindja dhe perëndimi i përkasin zotit", duke iu referuar kështu një thënie të huazuar nga kurani. Ky roman që e bëri famën e këtij shkrimtari të kishte një sukses të jashtëzakonshëm në vitet 97-98 do të jetë këtë javë në tregun e librit shqip, nga përkthyesja Drita Ccetaku. Kjo zonjë që e ka njohur për herë të parë këtë autor në vitin 1998, vendosi ende pa e imagjinuar si një Nobelist të ardhshëm ta sillte këtë autor në gjuhën shqipe. Kthimi i saj nga Stambolli drejt Tiranës do të shoqërohej edhe me një mori librash të këtij autori, duke nisur kështu dhe tentativën për të gjetur një botues për këtë autor. Kjo zonjë mund ta shpjegojë shumë thjesht atë çfarë ndodhi mes saj dhe Pamuk, duke u shprehur se e gjithë kjo punë lindi falë një admirimi. Për një vit me radhë në tryezën e saj të punës ka qenë vetëm një libër "Unë jam e kuqja" i cili zbardhej çdo ditë në gjuhën shqipe nga Çetaku. Kohët e përkthimit të këtij autori duket se kanë qenë të pazakonta për përkthyesen, e cila e quan edhe këtë si një sfidë që kërkon të bëjë në botën e bukur të përkthimeve. Ajo çfarë kërkon vazhdimisht ndërsa endej në faqet e këtij romani, ishte ideja që ky libër të kishte të njëjtat ndjesi si në origjinal. Pasionet e bëra në shekullin e 16, nuk kanë pse të humbasin shkëlqimin në shekullin e XXI, kur mesazhet vijnë për kohën që ne jetojmë. Teksa flet kupton se përkthimi i Pamuk ka lënë gjurmë të bukura në fytyrën e saj, që i jep një shkëlqim të çuditshëm këto ditë vjeshte. Për të është vetëm një gjë e rëndësishme, që përkthimi të jetë sipas standardeve të duhura, në mënyrë që Nobelisti të mos zhgënjejë lexuesin shqiptar.

Si lindi ideja për të përkthyer një autor si Orhan Pamuk?
Idea ka lindur kohë më parë se ai të mendohej si një Nobelist i ardhshëm. Unë e kam lexuar këtë roman në vitin 1998 kur sapo ishte botuar në Turqi, dhe sigurisht për vlerat që mbart më ngacmoi që unë ta përktheja duke ia prezantuar edhe lexuesit shqiptar. Sigurisht që në atë kohë unë nuk e dija se cila nga shtëpitë botuese mund të ishte e interesuar për të përkahur këtë nismë timen, dhe mbeti për një kohë të gjatë thjesht një ide. Vitin që kaloi u takova me zonjën Flutura Açka të shtëpisë botuese "Skandarbeg" dhe të dyja e kuptuam se kishim të njëjtën dëshirë, shumë të madhe që ky libër të vinte në libraritë shqiptare.

Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur në përkthimin e një romani si "Unë jam e kuqja", i cilësuar nga kritika si një nga prodhimet më të mira të këtij autori?
Është një roman jashtëzakonisht i bukur dhe kualitativ, por të gjithë autorët e mëdhenj përveç kënaqësisë së leximit kanë edhe vështirësinë gjatë përkthimit, për faktin se edhe tema që trajtohet është paksa e vështirë. Është një temë paksa e panjohur për shqiptarët, bëhet fjalë. Është një lloj diskutimi për artin e lindjes dhe atij të perëndimit duke u konkretizuar me miratuarat. Miniaturat janë format e pikturave të aplikuara në shekujt e kaluar në shtetet e lindjes. Sigurisht që kjo është një diçka fare e panjohur për lexuesin shqiptar, dhe vështirësia niste që në termat që përdoren në këtë drejtim.

Mund të na flisni pak se për çfarë flet romani?
Duke e thënë fare thjeshtë ngjarjet zhvillohen në fund të shekullit të 16-të në Stamboll kryeqytetin e perandorisë osmane në atë periudhë dhe kryesisht ngjarjet lëvizin nga atelieja e sulltanit në shtëpitë e disa minaturistëve që punojnë për llogari të tij. Romani hapet me një vrasje të kryer, dhe njëri prej këtyre minaturistëve papritur zhduket vritet nga dikush, dhe megjithëse në pamje të parë ngjan si një roman policesk të rëndomtë, ecuria dhe duke kaluar nga faqe në faqe të japin kuptosh se ke të bësh me shumë plane brenda këtij romani. Nga plani policesk ke të bësh me lidhjen dashurore të një çifti, në dilemat e një artisti të lindjes ku ai papritur ndihet me artin e perëndimit. Sigurisht që romani nuk mund të shpjegohet kaq thjeshtë, pasi është një orvatje e Pamuk për të treguar kulturën, themelin kulturor të perëndimit dhe lindjes.

Cilën anë të këtyre dy kulturave mban Pamuk?
Do ti përgjigjessha kësaj pyetjeje me një fjali të shkurtër që ai vetë e ka huazuar nga një libër i shenjtë nga Kurani, ku thuhet se "Lindja dhe perëndimi i përkasin zotit", dhe këtë ai ka vënë në hyrje të librit të tij.

Cilat kanë qenë pikat tuaja të takimit përveçse atij nëpërmjet procesit të përkthimit me këtë autor?
Unë personalisht nuk e kam takuar Pamuk, por thjesht e kam admiruar si shkrimtar. Shtëpia botuese "Skanderbeg' s" në momentin që nisëm të merreshim me përkthimin e librit, ka kontaktuar me këtë autor duke e ftuar të vijë në Shqipëri, dhe ai ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë për të ardhur në panairin e librit në nëntor, por siç duket marrja e Nobelit e shtyu edhe ardhjen e tij në Tiranë. Përveç librin "Unë jam e kuqja" që pritet të dalë këtë javë në treg ne kemi në proces edhe disa libra të tjerë të këtij autori për ti sjellë në shqip. Po të shohësh librat e tij ata janë shumë interesantë. Në disa prej tyre që në tituj ndeshim ngjyrat. Si "Libri i zi", "Bora". Ai luan jo vetëm brenda librave por që në tituj me kontrastet, si romani "Kështjella e bardhë", ka "Fytyra e fshehtë" që është bërë edhe film në Turqi,
"Shtëpia e heshtur". Romanet e tij janë tetë si romane dhe unë mund të them se romanet e fundit sa vijnë e bëhen gjithnjë e më të sukseseshëm.

Sa kohë ju është dashur për ta përkthyer këtë roman?

E gjithë puna ime për të sjellë në gjuhën shqipe Orhan Pamuk ka qënë gati një vit duke patur parasysh se gjatë kësaj kohe kam pasur edhe shkëputje normale për një proces pune.

A jeni njohur me modele të tjera përkthimi në gjuhë të tjera që ka pasur ky autor, apo jeni bazuar vetëm në botimin origjinal?
Përkthimi im është bazuar në përkthimin nga origjinali, por gjatë këtij procesi pune më është dashur të shikoj edhe përkthimet që i janë bërë këtij autori në gjuhë të huaj. Kam parë një përkthim në anglisht të Erda Dognar, i cili e ka këtë përkthim për në Amerikë, dhe për mua ka qenë një përkthim jashtëzakonisht i suksesshëm. Por jam munduar të jem një përkthyese sipas origjinalit.

 

 

Tirana Observer, 19 nentor 2006

Diell që lind nga perëndon

AUTORI: ORHAN PAMUK
TITULLI: UNË JAM E KUQJA (Roman)
BOTUES: SKANDERBEG BOOKS

Kliton NESTURI

Lexuesi shqiptar është dëshmuar shumë herët se është mjaft sqimatar në përzgjedhjet dhe shijet e tij. Veçanërisht në përballjen me letërsinë e huaj, ndaj së cilës ka pasur shpesh një qëndrim mikpritës, por edhe kritik, duke dëshmuar se ai është në të njëjtin nivel me lexuesin bashkëkohor. Ajo çka ai e përtyp me vështirësi është seleksionimi që i bëhet autorëve të huaj dhe shpejtësia me të cilin promovohen ata në tregun e librit shqiptar.
Këtë handikap, e kanë ndeshur më shumë në raport me fituesit e Çmimit Nobel, veprat e të cilëve kanë mbërritur disi me vonesë në gjuhën shqipe. Si rrallëherë vitet e fundit, lexuesi shqiptar pati fatin të merrte në dorë vetëm një javë pas fitimit të "Nobelit", veprën e shkrimtarit turk Orhan Pamuk "Unë jam e kuqja". Tashmë, ai mund ta vlerësoj vet këtë nobelistin me moshë më të re, për veprat e tij. Kjo, është një risi për lexuesin shqiptar dhe tregun e librit në përgjithësi.
Vepra që tashmë kemi në dorë, ("Unë jam e kuqja"), sjell tek ne një temë shumë interesante, siç është ajo e përplasjes së qytetërimeve, në raportet ndërmjet Lindjes dhe
Perëndimit. Ndonëse në vepër flitet për miniaturistët dhe artin e tyre, të cilët veç përplasjeve dhe smirës me të cilën përballej ekzistenca e tyre, u ndodhën në sfidën më të madhe, atë në përballjen me pikturën e mjeshtërve të perëndimit, veçanërisht në gjininë e portretit. "... portreti ishte mëkati më i madh nga ku mund t'i vinte fundi pikturës myslimane." Por kjo sfidë nuk është vetëm një sfidë ndërmjet shkollave dhe teknikave të ndryshme të pikturës, por edhe një përplasje ndërmjet mënyrave të jetës, qytetërimeve, traditës dhe perspektivës. Në dramën me të cilën është mbështjellë subjekti i veprës, jepet një pasqyrë e qartë e jetës dhe traditave orientale, të cilat shpesh përballen me traditat e perëndimit, të cilin Pamuk e quan në vepër "frëngu". Dhe si një perandori e madhe, osmanët pak nga pak filluan të studionin dhe të pranonin mënyrat e Perëndimit, në artin e tyre. Dhe kur ari fillon e ndryshon, detyrimisht fillon e ndryshon gjithçka. Asgjë nuk mund ta frenojë ndryshimin, i cili fillon që nga sarajet e Padishahut; as lajkat dhe as vrasjet "Tashmë e tutje në atelienë e Padishahut do të pikturohet sipas stilit frëng. Librat dhe metodat që i kushtuam gjithë jetën tonë, do të mbeten në harresë, gjithçkaje do t'i vijë fundi..." Dhe kur ndodh kështu, askush nuk mund të thotë dot gjë. "Miniaturistët nuk u zemëruan dhe nuk protestuan; njëlloj si një i moshuar që e pranon sëmundjen në heshtje edhe ata e pranuan këtë gjendje pa shumë ceremoni, në qetësi dhe kokulur.... Ata e braktisën pikturën dhe e lanë pa zot, njëlloj siç mund t'ia dorëzoje qytetin errësirës pasi i mbyllje portat netëve një nga një. U harrua që dikur e këqyrnim botën krejt ndryshe."
Pamuk është një shkrimtar fin dhe përmes veprës së tij ai transmeton mesazh të mëdha dhe konkrete, duke u shndërruar kështu në një ambasador qytetërimesh. Por do të ishte mëkat, në se do ta shikonim këtë shkrimtar turk vetëm nga këndvështrimi politik, apo social që përshkruhet në veprën e tij, e cila shquhet për një pasuri të begatë. Ndonëse në këtë vepër flitet për një periudhë të largët historike, autori na mahnit me informacionin dhe detajet e shumta që na përcjellë, duke na detyruar kështu, të përjetojmë atë periudhë historike deri në imtësi. Dhe kjo është mrekullia që një autor arrin të bëjë me lexuesin. Vepra nuk ka një linjë kryesore, por një periudhë të zhvillimit të qytetërimit oriental, rreth së cilës vërtiten personazhet. Tek secili prej tyre, duke filluar që nga Elegant Efendi, Enishte, Shekurja, Shefqeti, Orhani, Zezi, Lejleku, Fluturaku, Ulliri, Esteri, Hajrija, Mjeshtër Osmani, e deri te Rapsodi, Padishahu, Shefi i Thesarit, Hasani, etj., janë të vizatuar karaktere origjinalë. Secili prej tyre është bartës i dramës, secili është protagonist në vepër, pavarësisht nga hapësira e krijuar.
Lexuesi shqiptar, me botimin e romanit "Unë jam e kuqja" përballet me një stil thuajse të ri, atë të letërsisë aziatike, i cili ka si karakteristikë shtrirjen dhe shpengimin, duke dashur që të analizojë çdo gjë deri në imtësi.
Duke folur për këtë vepër, nuk mund të mos thuhen edhe pak fjalë për përkthyesen Drita Çetaku, e cila realizon në të njëjtën kohë edhe shqipërimin e parë nga turqishtja në botimet tona. Çdo përkthyes ka një vepër të parë. Edhe Drita Çetaku, ka pikërisht këtë vepër, të cilën e ka sjellë mjeshtërisht para lexuesit sqimatar shqiptar. Dhe së bashku me një autor, botimet tona fituan edhe një përkthyese të re dhe tepër të talentuar.
Me veprën "Unë jam e kuqja" Orhan Pamuk filloi udhëtimin në një tokë të re, për tu takuar me njerëz dhe lexues të rinj, të cilët duket se do ta presin shumë mirë, jo vetëm pse është mysafir që vjen nga larg, por në radhë të parë, për vlerat e mëdha që ai përcjell.


FLORA NIKOLLA
ATSH

''SKANDERBEG BOOKS'' BOTON NOBELISTIN MË TË RI; ORHAN PAMUK

Botuesja Flutura Açka i dorëzon shtypit kopjet e para të librit

TIRANE, 19 Tetor/ATSH-Flora Nikolla/.- Një kritik italian, kur çmimi Nobel koençidoi me një bashkëatdhetar të tijin, Dario Fo, në 1997 tha : "Një të enjte jepet një lajm . Një ditë më pas thuhet OK ose jo nga bota ".
Me sa duket Shqipëria ja dha OK, nobelistit më të ri po atë të enjte .
Vetëm disa orë më vonë, pasi Akademia Suedeze e Gjuhës konfirmoi nga Stokholmi se shkrimtari turk ishte fituesi i Nobelit për vitin 2006 , botuesja e shtëpisë botuese "Skanderbek Books" , Flutura Açka, njoftoi shtypin se ishte gati të hidhte në treg veprën e tij , "Unë jam e kuqja"
Në një konferencë për shtyp botuesja Açka rikonfirmoi të enjten këtë lajm për median shqiptare, duke iu dorëzuar edhe kopjet e para të botimit në shqip, të shkrimtarit të konsideruar si nyje lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit .
Romancieri, i cili u proçedua në vendin e tij kur përmendi në një intervistë vrasjen e armenëve dhe kurdëve nga turqit në 1915, sipas Açkës kishte planifikuar të vinte personalisht në Shqipëri për të prezantuar veprën e tij të parë në shqip i ftuar nga botuesja e tij dhe për të marrë pjesë në Panairin e Librit Tirana 2006.
Pamuk i cilësuar "me një shpirt melankolik për qytetin e tij të lindjes" dhe "që ka zbuluar simbole të reja për lidhjen mes kulturave" e kishte pranuar me kënaqësi ftesën për të qenë pranë lexuesit shqiptar. "Ndoshta ai vetë e ka parandjerë çmimin, pasi e shtyu ardhjen e tij për në pranverë të vitit 2007", tha botuesja, Flutura Açka, e cila bëri të ditur për shtypin se është në përkthim e sipër edhe romani i tij "Bora".
Mbi librin e tij Orhani shkruan "në romanin UNË JAM E KUQJA nuk është alter egoja ime; jam unë vetë. Shumë prej detajeve dhe anekdotave të gruas së vetmuar dhe marrëdhëniet e djemve të saj kanë rrjedhur prej përvojave të mia personale. Rivaliteti mes vëllezërve, grindjet e tyre të përhershme, zënkat dhe bisedimet e tyre për t'u paqëtuar, xhelozia për nënën e tyre, janë autobiografike. Duke bartur detaje nga fëmijëria ime në romanin tim historik, unë shpresoj t'i jap një dimension personal librit."
Të dy librat e parë të Orhan Pamuk janë përkthyer nga origjinali turqisht nga përkthyesja, Drita Çetaku.
Kjo është hera e dytë që një nobelist vjen njëherësh me çmimin e madh për lexuesin shqiptar. Në vitin 2003 ''Skanderbeg Books'' solli në shqip J.M. Coetzee, nga i cili në shqip deri në fund të këtij viti do të jenë pesë romane. "Skanderbeg books" ka ekskluzivisht edhe të drejtën e autores nobeliste të vitit 2004, shkrimtares austriake, Elfriede Jelinek.


PAMUK- NJE SHKRIMTAR I LIRË

Në fakt shkrimtari turk u përmend shumë herë si një nga kandidatët më të bindshëm të Nobel-it , kur krahas tij figuronin një mori emrash nga disa kontinente. Por, në këtë rast Akademia Suedeze ka konfirmuar parashikimet.
I lindur në 7 qershor 1952 në Stamboll, në një familje të mesme , -babai dhe gjyshi i tij ishin inxhinierë- , Pamuk eshtë sot një nga shkrimtarët më të njohur të vendit të tij, i përkthyer në 34 gjuhë . Në fëmijëri ëndërronte të bëhej piktor, por studioi arkitekturë. Pas kësaj iu dedikua letërsisë dhe në vitin 1977 u diplomua për gazetari në Universitetin e Stambollit , ndonëse asnjëherë nuk e ushtroi profesionin e tij . Mes viteve 1985 dhe 1988 u vendos në Nju Jork ku punoi si profesor i jashtëm në Universitetin Columbia, deri sa u kthye në qytetin e tij të lindjes.
Romani i tij i parë u botua në 1982, ndonëse iu desh të priste tre vjet që vepra e tij të njihej në nivel ndërkombëtar në sajë të romanit "Astrologu dhe Sulltani". Por, njohja e tij u përcaktua në 1998 me romanin "Më quajnë të kuq" , një libër që i vendos ngjarjet në Stamboll në shekullin XVI, kur në vend sundonte Sulltan Muradi III.
Vepra e tij e fundit , një libër për Stambollin, është një autobiografi me të cilin ai dëshmoi plotësisht talentin e tij në letërsi : të shkruash mbi qytetin ku ke jetuar që kur ke lindur, vendosur mbi një memorie perfekte ,mbi mendime dhe filozofi, ky është libri "Stambolli, Qyteti dhe kujtime".
Gjatë muajit shtator, Pamuk u shpreh për gazetarët se "ajo që më ka përcaktuar si karakter ka qënë lidhja me shtëpinë time, me rrugën time, me peisazhin tim, me qytetin tim". Ai është konsideruar nga kritika i barazvlefshëm me autorë të tillë të njohur si argjentinasi Ernesto Sabato apo italiani Alberto Calvino.
Mes çmimeve që ka marrë përmënden ; Libri më i mirë i huaj në Francë (2002), Grinzane Cavour në Itali (2002), Internacional IMPAC në Dublín (2003), Médicis de Francia (2005) dhe Çmimin e Paqes nga Botuesit gjermanë (2005).
Janarin e këtij viti , një gjykatë e Stambollit arshivoi një çështje kundër Pamuk mbi komentet që ai kishte deklaruar mbi vdekjen e kurdëve dhe armenëve të botuar në një gazetë zviceriane Tages Anzeiger.
Ky rast provokoi një valë protestash ndërkombëtare kur shkrimtarët firmosën një deklaratë në mbështetje të Pamuk, duke akuzuar qeverinë turke për shkelje të të drejtave të njeriut .
Por ky intelektual rolin e tij politik e shikon si një dënim. Gjithnjë ka thënë se është "një shkrimtar që e konsideron politikën si një kompromis të pashmangshëm, por që nuk i pëlqen ", "Dua të jem një shkrimtar i lirë", ka thënë më shumë se në një rast .
Pamuk do të marrë nga ky çmim 10 milionë korona suedeze (1,1 milionë euro),më 11 dhjetor në Oslo në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobel, themelues i çmimit .

 


LEONARD VEIZI
Gazeta BALLKAN

Fjalët e para të Orhan Pamuk, pas marrjes së çmimit "NOBEL"
"Unë e mora vesh se kisha fituar çmimin "Nobel" këtë mëngjes përmes telefonit. Isha ende në shtrat në Nju Jork. Ishte aq errët sa mendova se ishte mesi i natës. Telefoni ra dhe ishte Sarah Chalfant e Agjencisë "Ëylie", që më tha se lajmi për këtë çmim i ishte dhënë zyrës së agjencisë në Londër. M'u tha se Sekretari i Akademisë Suedeze, Horace Engdahl, do të më telefononte shpejt, gjë të cilën e bëri një minutë më vonë; ai më tha se do të merrja çmimin "Nobel" dhe se do ta njoftonte këtë për tre minuta. Ai më pyeti edhe nëse do ta pranoja. Dhe e pranova me gëzim, së pari si kremtim të gjuhës turke, të kulturës turke, pjesë e së cilës jam dhe, së dyti, personalisht, e pranoj këtë çmimi me mirënjohje si një vlerësim të tridhjetë e dy vjetëve të mi të devocionit të artit të madh të romanit."
Orhan Pamuk, 12 tetor 2006, Nju Jork


"Skanderbeg Books" sjell në shqip veprën e shkrimtarit turk

Orhan Pamuk, nobelisti
që do vizitojë Shqipërinë

Leonard Veizi

Tashmë është edhe në shqip, në një kohë rekord, vetëm një javë pasi ka marrë çmimin e madh të letërsisë "Nobel".
Shtëpia botuese "Skanderbeg Books" ka prezantuar një ditë më parë "Unë jam e kuqja", romanin, me të cilin shkrimtari turk Orhan Pamuk pati vlerësimin maksimal nga Akademia Suedeze, edhe pse në vendin e tij kishte trazuar shumë uëjra. Libri voluminoz me 536 faqesh ka ardhur në shqip nga origjinali nëpërmjet përkthimit mjeshtëror të Drita Çetakut. Ndërsa kopertina është punuar nga piktori Vladimir Myrtezai

Ishte e enjte ora 13.00. Pikërisht në një kohët të tillë u dha "Nobeli". Një kohë të tillë zgjodhi Açka të promovonte librin e Pamuk. Nuk ishte rastësi.Dhe nuk do të jenë pak, por 2 mijë kopje të hedhura në tregun e librit, me firmën e një shkrimtari nobelist tashmë. Flutura Açka, drejtuesja e shtëpisë botuese, bëri të ditur se Orhan Pamuk ka qenë në planet e botimit të "Skanderbeg books" më herët se "Nobel" 2006.
"Unë jam e kuqja"
"Në çastin e marrjes së çmimit romani i parë "Unë jam e kuqja" ishte në procesin përfundimtar të publikimit dhe do t'i bëhej prezent lexuesit në panairin e librit "Tirana 2006" nga 1-8 nëntor 2006. U mendua të fillohej me "Unë jam e kuqja" (My name is red) pasi është një roman me simbole të njohura për lexuesit shqiptar, dhe me shtresime të tilla ku çdo lexues gjen pjesë të vetën", bëri të ditur Flutura Açka në një konferencë për shtyp, që u bë me këtë rast në ambientet e bibliotekës së Galerisë Kombëtare të Arteve.
Orgjinaliteti
Më pas botuesja tha se, "Orhan Pamuk prej vitesh është prezantuar në qarqet letrare në botë si një zë origjinal, shumë cilësor, me integritet intelektual dhe stilist i rrallë. Kjo ka qenë arsye përfshirjes së Orhan Pamuk në listën e autorëve cilësorë që "Skanderbeg books" dëshiron t'ia sjellë lexuesit shqiptar.
Planifikimi
Shkrimtari Turk Orhan Pamuk e kishte planifikuar të ishte vetë i pranishëm në prezantimin e veprës së tij në gjuhën shqipe në vjeshtë të këtij viti. Marrëveshja me agjentin e tij dhe "Skanderbeg books" u bë në pranverë të vitit 2006 dhe për shkak të mosnjohjes së saktë të datave të Panairit Shqiptar të Librit, koha e ardhjes u la e hapur. Për shkak të angazhimeve të tij në Universitetin e Kolumbias, ardhja e tij në Shqipëri u shty për në pranverë të vitit 2007, me ç'rast do të prezantohen dy vepra: "Unë jam e kuqja" dhe "Bora". Botuesja Açka bëri thë ditur se "Megjithë detyrimet që rrjedhin nga marrja e një çmimi të tillë, "Skanderbeg books" do të bëjë përpjekje ta përmbushë këtë projekt: t'ia bëjë të pranishëm nga afër lexuesit shqiptar nobelistin 2006, Orhan Pamuk".


Orhan Pamuk për vete dhe veprat e tij:

"Unë jam fetar. Feja ime është arti i romanit"

"Unë u rrita në Stamboll… në shoqërinë e njerëzve. Unë doja të isha si evropianët. S'mund ta shihja se si do të mund të isha një evropian me një Zot, që u kërkon grave ta mbulojnë veten me shami."
"Njerëzit thonë se unë duhet të kem patur besim të madh tek vetvetja që kam duruar kaq gjatë pa u botuar. Mbase kjo është e vërtetë, por në të vërtetë, unë e kisha lënë gjithçka pas dhe nuk mund të kthehesha më pas. Unë e dija se duhet ta mbërrija atë breg dhe kështu unë e kam arritur atë."
"Një kohë reputacioni im ndërkombëtar filloi të rritej, vendet islamike dhe laike më thanë: 'Ti nuk je turk aq sa duhet, ti shkruan me sytë e Perëndimit'. Ata më kanë sulmuar gjithë kohën. Ironia është se kur hodha këmbën jashtë Turqisë, ata më përshkruan si 'turk' gjithë kohën. Kritikët nuk më thërrasin mua Pamuk, ata më thërrasin 'ky autori turk'. Kjo e sterilizon artin tim. Kur Prusti shkruan për dashurinë, është Prusti që shkruan për dashurinë. Kur unë shkruaj për dashurinë, është dashuri turke. Dhe unë mërzitem. Jam i vendosur ta shkatërroj këtë."
"Ka autorë si Nabokov, Naipaul dhe Konrad që ndryshuan qytetarinë e tyre dhe kombin, madje edhe gjuhën. Është ide shpresëdhënëse dhe mahnitëse në letërsi, por në një sens jam i preokupuar që s'e kam bërë këtë. Unë kam jetuar virtualisht në të njëjtën rrugë gjithë jetën time dhe ende jetoj në apartamentin ku edhe jam rritur. Por kjo kështu duhej të ishte dhe kjo është çfarë unë pëlqej. Të shoh nga pamja ime. Prej këtej nuk është dhe aq e vështirë ta shoh botën."
"Duket sikur kur ti shkruan letërsi në atë anë botës (Perëndim) nacionaliteti yt nuk është i rëndësishëm, por po të shkruash letërsi këtu (në Turqi) nacionaliteti, madje ca më keq, etniteti yt, është i rëndësishëm. Kur një shkrimtar anglez flet për marrëdhënie dashurore, ai shkruan për marrëdhënie dashurore njerëzore, por kur unë shkruaj për për marrëdhëniet dashurore, unë flas vetëm për marrëdhëniet dashurore turke."
"Ne duhet të mësojmë një gjë nga civilizimi: Njërëzit janë kudo njëlloj dhe kjo gjë duhet të sjellë paqe. Por Bush asnjëherë nuk është sjellë kësisoj. Me luftën në Irak, ai i bëri qytetarët e zakonshëm të vendeve islamike të zemëruar kundër Amerikës dhe Perëndimit. I gjithë arti im është bazuar në premisat që Lindja dhe Perëndimi duhet të jenë bashkë."
"Çfarë kam shkruar nuk është rreth përplasjes së civilizimeve apo konfliket mes Lindjes dhe Perëndimit. Unë i urrej të dyja, edhe konceptin, edhe realitetin e botës muslimane në përplasje me Perëndimin. Ajo për çfarë kam qenë i interesuar në veprën time është ajo që në termat sociologjike mund të quhet 'ndryshime kulturore', apo në në terma psikologjike, më personale, 'probleme të identitetit'."



Drita Çetakut - përkthyese
"Ndihem e lumtur që arrita të godas në shenjë dhe arrita të sjell për lexuesin shqiptar një autor me rëndësi. Unë kisha personalisht dëshirën për të sjellë këtë autor dhe kjo u bashkua me dëshirën e znj. Flutura Açka, që ishte dhe promotori kryesor në këtë drejtim. Për mendimin tim çdo fjalë e librit është interesante. Çdo kapitull i librit është interesant. Ju vetë do ta shihni se çdo kpitull i këtij libri mban emrin e një narratori dhe çdo lexues gjen veten, gjen diçka nga shpirti i tij në kapitujt e këtij libri. Te shkrimtari Pamuk më ka pëlqyer jashtëzakonisht gjuha dhe për mua kjo është kryesorja gjatë përkthimit. Ajo më ka ndihmuar që ta përkthej me shpirt. Nuk ka qenë zgjidhja ime. Përkthimi i Pamukut e kam vendosur që në vitin 1999, por ndoshta ka qenë dhe kërkesa e tregut shqiptar ajo që përcaktonte pa a shumë këtë".

 

 

ANISA YMERI
Gazeta KORRIERI


Nobelisti Pamuk, flet shqip me "Unë jam e kuqja"
VETRRËFEHET EDHE SHQIP NOBELISTI ORHAN PAMUK ME LIBRIN E TIJ HISTORIK "UNË JAM E KUQJA".
Është libër ku autori rrëfen pjesën më të madhe të jetës së tij, por sipas përkthyeses Drita Çetaku, çdo lexues gjen veten në çdo kapitull të tij

Anisa YMERI
"Unë jam e kuqja", kështu vetrrëfehet nobelisti Orhan Pamuk në shqip, vetëm pak ditë pasi ka rrëmbyer "Nobelin 2006". Libër që ka tërhequr vëmendjen e kritikës në mbarë botën, edhe atë jo lindore, duke mos i kursyet vlerësimet. Aq sa "The Times" e ka cilësuar romanin që tanimë flet edhe shqip, "Unë jam e kuqja", si një botë e drejtuar nga mjegulla. Është i pari roman që shqipërohet prej gjuhës origjinale, turqishtes, pasi deri më tani shkrimtarët turq, për të mbërritur në Shqipëri kanë udhëtuar nëpër Francë, Itali apo gjetkë. Ndaj edhe përkthyesja e Pamukut në shqip, Drita Çetaku, në këtë ditë të veçantë, shprehet se, "Ndjej një kënaqësi shumë të madhe që përkthimi i parë nga turqishtja në shqip i takoi një nobelisti, pra që arrita të godas në shenjë dhe të sjell për lexuesin shqiptar një autor të merituar". Por kënaqësia e përkthyeses nuk mbetet thjesht për shqipërimin e këtij romani, ajo është e lumtur edhe për faktin se është studiuese e letërsisë turke dhe artikujt e saj studimorë për këtë letërsi botohen rregullisht në revista turke. Ndërsa vet autori e është shprehur për romanin..."Orhani në romanin "Unë jam e kuqja" nuk është alter egoja ime; jam unë vetë. Shumë prej detajeve dhe anekdotave të gruas së vetmuar dhe marrëdhëniet e djemve të saj kanë rrjedhur prej përvojave të mia personale. Rivaliteti mes vëllezërve, grindjet e tyre të përhershme, zënkat dhe bisedimet e tyre për t'u paqëtuar, xhelozia për nënën e tyre, janë autobiografike. Duke bartur detaje nga fëmijëria ime në romanin tim historik, unë shpresoj t'i jap një dimension personal librit." Botuesja e Skanderbeg Books, Flutura Açka, gjatë promovimit të veprës së Pamuk në shqip, u shpreh se, "është një fat për lexuesin shqiptar që fill pas marrjes së Nobelit, ai vjen në shqip, mandej është edhe një fat për Skanderbeg books". E duke qenë se fatet e librave ndryshojnë brenda një minute, ai "Unë jam e kuqja" u botua në 2000 kopje të cilat qarkullojnë prej ditës së djeshme thuajse në të gjitha libraritë e Shqipërisë. Pritet që Nobelisi Pamuk të vijë në Shqipëri pranverën e ardhshme, ndërsa botuesja Açka shprehet se, "në pranverë do të vijë në shqip romani tjetër i Pamuk-ut, "Bora" dhe mandej në vjeshtën e ardhshme do të botohet edhe "Kështjella e bardhë, pasi sikurse e kam thënë edhe më parë, dëshira jonë është të sjellim korpuse letrare dhe jo vepra të shkëputura të autorëve të ndryshëm".

Vepra të Orhan Pamuk:
Xhevder Beu dhe bijtë e tij, roman1982
Shtëpia e heshtjes, roman 1983
Kështjella e bardhë, 1985
Libri i Zi, roman 1990
Gizli Yüz, skenar, 1992
Jeta e re, roman 1994
Unë jam e kuqja, roman 1998
Ngjyrat e tjera, shkrime të zgjedhura dhe një tregim 1999
Bora, roman 2002
Stambolli: kujtime dhe qyteti, roman 2003


BLERINA GOCE
Gazeta METROPOL

"Unë jam e kuqja"

Libri i nobelistit turk flet shqip


Më në fund, nobelisti Orhan Pamuk flet shqip. Për herë të parë, një vepër e tij është në dorën e lexuesit shqiptar përmes përkthimit nga origjinali të librit të tij, "Unë jam e kuqja". E sjellë në shqip nga Drita Çetaku, Pamuk vjen si "sipërmarrje" e shtëpisë botuese "Skanderbeg books", e cila ka pasur në planet e saj botimin e këtij shkrimtari, më herët se ai të fitonte Nobel 2006. "Në çastin e marrjes së çmimit, romani i parë 'Unë jam e kuqja' ishte në procesin përfundimtar të publikimit dhe do t'i bëhej prezent lexuesit në panairin e librit 'Tirana 2006' nga 1-8 nëntor 2006. U mendua të fillohej me 'Unë jam e kuqja' (My name is red), pasi është një roman me simbole të njohura për lexuesit shqiptar dhe me shtresime të tilla, ku çdo lexues gjen pjesë të vetën" - shprehet botuesja e "Skanderbeg books", Flutura Açka. Sipas saj, Pamuk prej vitesh është prezantuar në qarqet letrare në botë si një zë origjinal, shumë cilësor, me integritet intelektual dhe stilist i rrallë.
Pamuk, në Shqipëri në pranverën e 2007

Sipas botueses Açka, Orhan Pamuk e kishte planifikuar të ishte vetë i pranishëm në prezantimin e veprës së tij në gjuhën shqipe në vjeshtë të këtij viti. "Marrëveshja me agjentin e tij dhe 'Skanderbeg books' u bë në pranverë të vitit 2006 dhe për shkak të mosnjohjes së saktë të datave të Panairit shqiptar të librit, koha e ardhjes u la e hapur" - vëren ajo, duke shtuar se për shkak të angazhimeve të tij në Universitetin e Kolumbias, ardhja e tij në Shqipëri u shty për në pranverë të vitit 2007. Me këtë rast do të prezantohen edhe dy vepra të Pamuk: "Unë jam e kuqja" dhe "Bora".
b.g

"Orhani në romanin 'Unë jam e kuqja' nuk është alter egoja ime; jam unë vetë" - shkruan Pamuk për personazhin e tij Orhan, në librin "My name is red". "Shumë prej detajeve dhe anekdotave të gruas së vetmuar dhe marrëdhëniet e djemve të saj kanë rrjedhur prej përvojave të mia personale. Rivaliteti mes vëllezërve, grindjet e tyre të përhershme, zënkat dhe bisedimet e tyre për t'u paqëtuar, xhelozia për nënën e tyre, janë autobiografike. Duke bartur detaje nga fëmijëria ime në romanin tim historik, unë shpresoj t'i jap një dimension personal librit."

Drita Çetaku

Shpirti në përkthimin e Pamuk

Është e para përkthyese, që sjell në shqip një vepër të përkthyer direkt nga turqishtja. Studiuesja dhe përkthyesja Drita Çetaku, në fakt ndihet e lumtur që "goditi në shenjë" me librin e Pamuk edhe pse, kur filloi të përkthente këtë autor nuk kishte çuar ndërmend çmimin "Nobel"-in. "Unë kisha personalisht dëshirën për të sjellë këtë autor dhe kjo u bashkua me dëshirën e znj. Flutura Açka, që ishte dhe promotori kryesor në këtë drejtim" - shprehet ajo në një intervistë, ku flet për çfarë gjen interesante në gjuhën e Pamuk, lidhjen e saj me turqishten dhe 'shpirtin' e këtij libri.

Jeni e para përkthyese e Pamuk në shqip. Si ju bën të ndiheni ky fakt dhe, çfarë ju është dukur interesante te ky autor?
Ndihem e lumtur, që arrita të godas në shenjë dhe arrita të sjell për lexuesin shqiptar një autor me rëndësi.
Unë kisha personalisht dëshirën për të sjellë këtë autor dhe kjo u bashkua me dëshirën e znj. Flutura Açka, që ishte dhe promotori kryesor në këtë drejtim. Te shkrimtari Pamuk më ka pëlqyer jashtëzakonisht gjuha dhe për mua, kjo është kryesorja gjatë përkthimit. Ajo më ka ndihmuar që ta përkthej me shpirt.

Po për librin "Unë jam e kuqja"…
Për mendimin tim çdo fjalë e librit është interesante. Çdo kapitull i librit është interesant. Ju vetë do ta shihni, se çdo kpitull i këtij libri mban emrin e një narratori dhe çdo lexues gjen veten, gjen diçka nga shpirti i tij në kapitujt e këtij libri.

Megjithatë, Pamuk vjen disi vonë në shqip. Sipas jush, pse ai arriti të vinte vetëm tani për lexuesin tonë?

Nuk ka qenë zgjidhja ime. Përkthimin e Pamukut e kam vendosur që në vitin 1999, por ndoshta ka qenë dhe kërkesa e tregut shqiptar, ajo që përcaktonte pak a shumë këtë.

Në fakt ky libër është edhe libri i parë i përkthyer në shqip nga turqishtja. Ç'mund të na thoni për 'marrëdhënien' tuaj me gjuhën turke dhe përkthimin?
Sigurisht, kjo ishte vepra e parë në turqisht e përkthyer nga gjuha turke, sepse autorët e tjerë turq janë përkthyer në shqip nga gjuhë të tjera, kryesisht perëndimore. Ky është përkthimi im i parë nga turqishtja në shqip, në formën e një vepre, pa përmendur tregime të shkurtra apo poezi, por unë kam shumë përkthime dhe kritika letrare të përkthyera nga revistat më të mira në Turqi mbi letërsinë turke. Pra, fusha që kam lëvruar deri tani kanë qenë studimet, shkrimet studimorë-kritikë për letërsinë turke. Diku në një intervistë, më është thënë që ndoshta është një e metë e letërsisë turke që lëvrohet në një vend të lindjes. Për mendimin tim ky është një fat i saj, sepse çdo shkrimtar turk mund të frymëzohet nga letërsia e Lindjes, por edhe ajo e Perëndimit. Ky është fati i kësaj letërsie.

Në fakt, si ka lindur kjo 'dashuri' që keni për turqishten?
Ka të bëjë me një histori familjare. Dikur, kur isha e vogël gjyshja ime lexonte në turqisht. Gjeta në shtëpi një libër dhe si një "brerëse" e librave, mund të them se u ndjeva shumë keq që nuk arrita të lexoj atë libër në atë gjuhë. Ia dhashë gjyshes të ma lexonte. U ndjeva e ngopur në atë gjuhë dhe kjo ka qenë shtytja ime e parë dhe ndoshta, kur kam marrë Pamukun në dorë dhe shkrimtarë të tjerë turkë ishte dëshira ime, për të ndarë këto lexime dhe me lexues të tjerë.

Si do t'i vlerësonit përkthimet e veprave letrare në tregun e sotëm shqiptar?
Ajo, për të cilën unë këmbëngul është kualiteti i veprës që përcjell në shqip; që veprat dhe shtëpitë botuese, t'i ofrojnë lexuesit një autor të mirë, që publiku të mbetet gjithmonë në nivel të lartë. Sigurisht në treg i shohim të gjitha llojet e librave. Sigurisht janë një plejadë autorësh klasikë të përkthyer që i përkasin të shkuarës, ndërsa për shkrimtarët e sotëm kontemporanë duhet akoma shumë punë.
Intervistoi: B.Goce


ANILA MEMA
Gazeta PANORAMA

Novelisti turk, në pranverë në Tiranë

Orhan Pamuk "flet" shqip

Së fundi vjen në shqip nobelisti Orhan Pamuk. Shkrimtari turk, fituesi i pak ditëve më parë i çmimit më të madh në letërsi për vitin 2006, botohet edhe në Shqipëri. Shtëpia botuese "Skanderbeg book's" ka hedhur në treg dje librin më të famshëm të Pamuk, "Unë jam e kuqja". Ky botim voluminoz prej 536 faqesh, i përkthyer nga turqishtja në shqip nga Drita Çitaku, është romani më i mirë historik, ku sipas "Book Review" është një parabolë, një rrëfim i ditëve tona. "Orhani në romanin "Unë jam e kuqja" nuk është alteregoja ime; jam unë vetë. Shumë prej detajeve dhe anekdotave të gruas së vetmuar dhe marrëdhëniet e djemve të saj kanë rrjedhur prej përvojave të mia personale. Rivaliteti mes vëllezërve, grindjet e tyre të përhershme, zënkat dhe bisedimet për t'u paqësuar, xhelozia për nënën e tyre, janë autobiografike. Duke bartur detaje nga fëmijëria ime në romanin tim historik, unë shpresoj t'i jap një dimension personal librit", është shprehur vetë shkrimtari turk, i cili lajmin se vepra e tij është vlerësuar me çmimin Nobel nga akademia suedeze e ka marrë nëpërmjet telefonit. Në një promovim të organizuar dje nga shtëpia botuese shqiptare "Skanderbeg book's", e njohur tashmë për botimin e nobelistëve (përmendim këtu Sigred Unset, novelist i vitit 1928, Bernard Shaw, Gunter Grass, 1999, J.M. Coetzze, 2003, Elfride Jelinek, 2004 dhe së fundmi Pamuk), përkthyesja Drita Çitaku është shprehur mjaft entuziaste për botimin e kësaj vepre. Ndërkohë botuesja, Flutura Açka, shprehet se për shkrimtarin turk ishte menduar të vinte në Shqipëri, me rastin e panairit të librit "Tirana 2006", por vizita e tij është shtyrë për në muajt e parë të pranverës. Romani "Unë jam e kuqja" e novelistit Orhan Pamuk, nga dje ndodhet në të gjitha libraritë e vendit. Ai kushton 1300 lekë. a.m